Komisioni i Disiplinës ka dhënë vendimin e tij sa i përket javës që lamë pas në futbollin shqiptar. Ajo që kishte të gjithë vëmendjen kryesore ishte padyshim ndodhia e ndeshjes Elbasani-Vllaznia. Grushti i Alban Xhaferit ndaj zyrtarëve të ndeshjes ishte kryefjala dhe Komisioni i Disiplinës e ka dënuar presidentin e Vllaznisë me 15 ndeshje. Ndërkohë Edi Martini, për sjelljen e tij me zyrtarët e takimit, është dënuar me 6 ndeshje pezullim.
- AF Elbasani, për mospërmbushje të përgjegjësive lidhur me rendin dhe sigurinë, për incidentet e ndodhura pas përfundimit të ndeshjes, si brenda ashtu edhe në afërsi të stadiumit, në bazë të neneve 8/1 dhe 17/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
- Zyrtari i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE, dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundimin e dënimit.
- Zyrtari i KF Vllaznia, Edi Martini, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Vllaznia, Elis Dervishaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i FC Dinamo City, Ilir Daja, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Pranimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani, Human Lancaster Rowan, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
- Rrëzimin e kërkesës së Klubit të Futbollit Delvina, në lidhje me faljen e dënimit për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
- Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria, Brajan Selmani, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
- Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Oriku, Bruno Telushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.