Lorent Tolaj ka gjetur golin e tij të parë në Championship dhe ka dhënë një sinjal të fortë se meriton vëmendjen e Kombëtares shqiptare. Sulmuesi i Bristol City ishte protagonist në përballjen ndaj Portsmouth, duke tundur rrjetën në minutën e 31-të. Tolaj tregoi edhe një herë instinktin e tij përpara portës, duke shfrytëzuar momentin e duhur për të realizuar dhe për t’i dhënë skuadrës së tij një kontribut të rëndësishëm.
Për 24-vjeçarin, ky është një moment i rëndësishëm në aventurën e tij në futbollin anglez. Championship është një kampionat fizik dhe shumë konkurrues, ndaj të shënosh në këtë nivel është një tregues i rëndësishëm për një sulmues që kërkon të konsolidohet. Paraqitjet e Tolajt nuk duhet të kalojë pa u vënë re nga Kombëtarja shqiptare.
Me golin e parë në Championship, Tolaj ka dhënë një tjetër arsye për të besuar se meriton një mundësi edhe me ekipin kombëtar. Nëse vazhdon në këtë ritëm, Kombëtarja duhet ta ketë seriozisht në konsideratë për ndeshjet e shtatorit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/