“10 vite më parë erdha me një ëndërr…”, Gjimshiti me fjalë zemre për Atalantën: Mund të largohesh nga një skuadër, por shtëpinë e mban gjithnjë me vete

Berat Gjimshiti i ka dhënë sot zyrtarisht lamtumirën Atalantës. Mbrojtësi shqiptar është larguar nga Bergamoja pas 10 viteve të kaluara në atë qytet. Një ndarje aspak e lehtë për 33-vjeçarin, çka e dëshmojnë fjalët e tij në një mesazh të ndjerë të shpërndarë në llogarinë zyrtare në “Instagram”. Gjimshiti ka shkruajtur se mberriti në Bergamo me një ëndërr dhe tani u largua i përmbushur jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë njerëzor. Ai e konsideron Bergamon dhe Atalantën si shtëpinë e tij dhe si të tillë do ta mbajë me vete gjatë gjithë jetës.

“Mbërrita në Bergamo dhjetë vite më parë si një futbollist i ri, me një ëndërr dhe një dëshirë të zjarrtë për të treguar vlerat e mia. Sot po largohem me ndërgjegjien se ky vend më dha shumë më tepër sesa thjesht futboll. Këtu u rrita si lojtar, si burrë dhe si baba. Këtu u rrit edhe familja ime. Bergamo u bë shtëpia ime dhe Atalanta u shndërrua në diçka shumë më tepër sesa thjesht një skuadër.

Gjatë këtyre dhjetë viteve, përjetuam fitore, humbje, netë të paharrueshme dhe arritje që dikur vetëm mund t’i kishim ëndërruar. Por ajo që do të marr me vete mbi gjithçka tjetër, janë njerëzit. Bashkëlojtarët e mi, trajnerët, i gjithë stafi, të gjithë ata që punojnë për klubin, familja Perkazi, tifozët tanë dhe gjithë banorët e Bergamos: ju falënderoj për besimin, mbështetjen, për luftën krahë nesh dhe për faktin që bëtë që unë dhe familja ime të ndiheshim pjesë e diçkaje të veçantë.

Asgjë nga ato që arritëm nuk na u dhurua. I ndërtuam gjërat së bashku përmes punës së palodhur, sakrificës, disiplinës, pasionit dhe mentalitetit që e lidh thellësisht Atalantën me qytetin e saj. Sot nis një kapitull i ri. Por ka vende që nuk i lë kurrë vërtet pas. Mund të largohesh nga një skuadër. Mund të largohesh nga një qytet. Por shtëpinë e mban gjithmonë me vete”, ka shkruajtur Berat Gjimshiti./Sport Ekspres/