Po çfarë interesi i cënohet president Begajt që godet lojtarët e Kombëtares?

Nga Gert Carcani

Në pak vite presidenti ynë i Republikës merret seriozisht me lojëtarët e ekipeve kombëtare. Së fundmi rasti Rrahmani dhe diskriminimi i praktikave të tjera të z.Begaj për mbi 10 lojtarë dhe lojtarë që kërkojnë shtetësinë dhe pasaportën shqiptare lë hije të mëdha dyshimi. Rasti i fundit i denoncuar nga FSHF dhe vetë zyrtari i saj Osmani konstaton edhe një herë bllokimin de jure e de facto që presidenti i Republikës i bën ekipeve kombëtare. Standarti i dyfishtë, gjoja në emër të ligjit, për plotësim të vakuumit ligjor për praktikat e lojtarëve të kombëtareve të moshave që FSHF kërkon ti afrojë në ekipet zinxhir bllokohet nga Presidenca.

Kjo është hera e dytë që presidenti Begaj provokon me cënim të drejtperdrejtë ekipet kombëtare, për arësye që i din vetëm ai. Në një situatë të tillë, teksa plotësohet praktika për futbollistin Albion Rahmani (dhe shumë mirë që finalizohet), Begaj bllokon të gjitha rastet e tjera për futbollistë shqiptarë nëpër botë që vendosin të luajnë për Shqipërinë.
Nuk dua kurrsesi ta besoj, që këtu në mes ka një interes material, moral apo politik, për asnjë arësye, por këtij dopio-standarti i duhet dhënë patjetër një spjegim publik nga vetë presidenti ynë i nderuar se, pse e kap me lojtarët shqiptarë dhe pse bëhet pengesë serioze si institucion për pasaportizimin e atyre të rinjve e të rejave që kanë vendosur aspak lehtësisht të pranojnë të luajnë me Shqipërinë.

Begaj sërish ngre digën, aty ku do, për ata që do, për arësyet që ka, apo edhe për influencën në këmbim që mund të marrë.
Zoti president!

Mos e bëj armik ekipin kombëtar! Kjo është e dyta herë që tenton të bllokosh, duke dhënë jopublikisht ende, një arsye ligjore si mungesë. Por krejt ndryshe, nuk standartizon të njëjtin argument për një praktikë tjetër që ti e kreve pa asnjë “motiv mungues” ligjor. Janë shqiptarë të gjithë president! Nuk mund dhe nuk është aspak e nevojshme të komportohesh me kapricio institucionale me standarte të ndryshme. Dhe pikërisht këtu, në të vetmin aneks ku mund të jesh partner me sportin, pikërisht këtu për kapricio dhe burokraci ushtarake, bën blllokadë.
Nëse këtë fakt e konsideron serioz zoti President, atëherë futbollit i detyroheni një shpjegim publik!

Nëse kjo shpullë që i jepni fëmijëve shqiptarë nëpër botë dhe familjeve të tyre, që duan një pasaportë e më pas një fanellë për të luajtur me ekipet kombëtare ju duket e drejtë, sërish i detyroheni një spjegim institucional publik. Eshtë e vetmja portë ku mund të bëni dicka si president i një shteti të brishtë, dhe jo të interpretoni ligjin me dopio-standarte, në raport me lojtarët e ekipeve kombëtare. Mos e zhbëni për asnjë arësye atë zotnillik tuajin që transmetoni nga ekrani, nga burokracitë afër kabinetit tuaj, apo nga interesa meskine rreth jush. Që e ritheksoj, nuk dua ta besoj që ju bllokoni praktikat shqiptare të pasaportave, se pas tyre mund të fshihet dicka që nuk duhet kurrsesi t’ju bëjë objekt dhe subjekt aludimesh.
Zoti president! Hapini rrugë të rinjve e të rejave në botë të luajnë me ngjyrat e ekipeve kombëtare. Mos i pengoni të zgjedhin fanellën e kombit, mos i lini pas portave të burokracisë, që mesa duket ka infektuar edhe kangjellat dhe është afruar afër skrivanise tuaj!