Transferimi i Fisnik Asllanit në radhët e Lajpcigut dështoi në momentin e fundit. Palët kishin rënë në ujdi dhe firma ishte e vetmja që mungonte, por klubi gjerman hoqi dorë pas testeve mjekësore. Analizat mjekësore nuk përmbushën pritshmëritë e klubit, prandaj transferimi nuk u zyrtarizua.
Drejtori i Hofenhajmit ka folur në lidhje me këtë çështje. Andreas Shikeri ka thënë se klubi i qendron pranë Asllanit, që sipas tij ka treguar nivelin më të lartë fizik dhe atletik në stërvitjet e zhvilluara me skuadrën e Hofenhajmit.
“Fisniku ka bërë përparim të jashtëzakonshëm te Hofenhajmi. Fakti që ky transferim nuk është realizuar është një lajm i keq për ne nga një perspektivë sportive. Është krejtësisht e qartë për ne se Fisniku është i aftë të performojë në nivelin më të lartë, si fizikisht ashtu edhe atletikisht.
Ne i qëndrojmë pranë lojtarit tonë. Fisniku dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin tonë sezonin e kaluar, përfundoi stërvitjen parasezonale në nivelin e tij të lartë të zakonshëm dhe do të stërvitet përsëri me ekipin duke filluar nga java e ardhshme”, ka thënë Andreas Shiker, citon “Bild”./Sport Ekspres/