Lorent Tolaj ka hedhur një jap të madh përpara në karrierën e tij. Sulmuesi shqiptar ka firmosur me Bristol Sitin në Çempionshipin anglez. Lojtari 24-vjeçar shkëlqeu sezonin e shkuar me Plajmuthin në Ligën e Parë, me të cilët shënoi 21 gola. Trajneri i Bristolit ka thënë se ardhja e Tolajt do t’i shtojë vijës së sulmit më tepër fizikalitet dhe më tepër intensitet. Ai duket i bindur se lojtari ka për të lulëzuar me skuadrën e tij të re.
“Jemi vërtet të kënaqur që shtojmë fizikalitetin dhe intensitetin e Lorentit në vijën tonë të sulmit. Përparimi i tij gjatë disa sezoneve të fundit është dëshmi e talentit dhe etikës së tij të punës. Ai do t’i shtojë një dimension tjetër skuadrës sonë dhe ne besojmë se ai do të lulëzojë duke punuar me grupin”, ka thënë Majkëll Skubala.
I fortë fizikisht dhe një “vrasës” përpara porte, Lorent Tolaj është pikërisht sulmuesi që i mungon Shqipërisë. Kuqezinjtë kanë shansin ta bëjnë pjesë të grupit, pasi 24-vjeçari ende nuk ka vendosur se cilën përfaqësuese do të zgjedhë. Theksojmë se Tolaj mund të luajë për Zvicrën, Kosovën dhe Shqipërinë. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e tij./Sport Ekspres/