Jurgen Klop mbyll marrëveshjen me Gjermaninë, trajneri i njohur do të drejtojë Kombëtaren deri në vitin 2030

Jürgen Klopp është shumë pranë rikthimit në pankinë, ndërsa mediat gjermane raportojnë se trajneri legjendar ka arritur një marrëveshje paraprake për të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë me një kontratë që do ta mbajë në detyrë deri në vitin 2030. Pas largimit të Julian Nagelsmann, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka intensifikuar negociatat me ish-trajnerin e Liverpoolit, i cili shihet si kandidati ideal për të udhëhequr një epokë të re të “Panzerëve”.

Sipas raportimeve, bisedimet mes palëve kanë qenë shumë pozitive dhe kanë mbetur vetëm disa detaje për t’u finalizuar. Një nga çështjet kryesore është marrëveshja me Red Bull, ku Klopp aktualisht mban postin e drejtorit global të futbollit. Megjithatë, largimi i tij nuk pritet të jetë problem, pasi ekziston një formulë që do t’i lejojë të marrë drejtimin e kombëtares gjermane.

Nëse marrëveshja zyrtarizohet, Klopp do të udhëheqë Gjermaninë deri në Kampionatin Botëror të vitit 2030, me objektivin për ta rikthyer skuadrën në majat e futbollit ndërkombëtar. Emri i tij konsiderohet garancia më e madhe për të nisur një cikël të ri suksesi, falë eksperiencës së jashtëzakonshme me Borussia Dortmund dhe Liverpool, ku fitoi Champions League, Premier League dhe shumë trofe të tjerë.

Njoftimi zyrtar pritet të bëhet sapo të përfundojnë procedurat me Red Bull, ndërsa tifozët gjermanë presin me entuziazëm rikthimin e një prej trajnerëve më karizmatikë të futbollit modern në stolin e kombëtares. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/