Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes miqësore ndaj Izraelit. Ata folën për përgatitjet e skuadrës, atmosferën në grup, pritshmëritë për sfidën e parë nën drejtimin e teknikut italian, si edhe objektivat e ekipit në këtë fazë të re.
Kapiteni Berat Gjimshiti foli për fillimin e ciklit të ri të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Maran, atmosferën brenda grupit dhe pritshmëritë për ndeshjet e ardhshme.
Si e sheh ciklin me trajnerin e ri? – Nuk është e thjeshtë, sepse kthehemi nga një humbje e rëndësishme, me objektiva të qarta, për të arritur atë gjë që në fillim të kualifikueseve dukej e pamundur. Por, ashtu si shkoi i gjithë rrugëtimi, të gjithë ishim të bindur se mund ta arrinim kualifikimin, gjë që do të ishte shumë e bukur për ne si Kombëtare dhe si shtet. Besoj se ky është një rifillim i ri me një staf të ri. Jemi të gjithë shumë të motivuar dhe grupi është pothuajse i njëjti, me disa lojtarë të rinj. Jemi stërvitur shumë mirë këto ditë dhe jemi gati për këtë cikël të ri.
Sa keni arritur t’i kuptoni këto ditë idetë e trajnerit? – Kemi shumë pak ditë bashkë, por idetë janë të qarta. Në pak kohën që kemi pasur, kemi parë disa nga gjërat që kërkon trajneri për këtë cikël të ri dhe atë që ai dëshiron nga lojtarët në fushë. Sigurisht, sa më shumë kohë të kalojë, aq më mirë do të bëhet gjithçka. Besoj se jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë atë që kërkon trajneri dhe të japim maksimumin në fushë.
Sa të vështirë do ta ketë trajneri të risjellë filozofinë italiane në skuadër? – Nuk besoj se bëhet fjalë për një filozofi italiane. Besoj se çdo trajner ka idetë e tij, ashtu siç kishte edhe Silvinjo. Edhe trajneri i ri ka idetë e tij. Është detyra e tij të na i transmetojë ato dhe detyra jonë t’i zbatojmë në fushë.
E ke menduar largimin nga Shqipëria?- Nuk e kam menduar ende. Besoj se është një sinjal pozitiv. Shpresoj të luaj edhe disa vite të tjera, sa më gjatë të jetë e mundur. Më pas do ta marr vendimin, por për momentin as që e mendoj.
Çfarë ka ndryshuar me ardhjen e Maran në grup? – Kanë ndryshuar taktika dhe pozicionimi në fushë. Nuk është e thjeshtë që brenda dy ose tre ditësh të bësh ndryshime në këto aspekte, por kanë ndryshuar gjërat më të rëndësishme që duhet të bëjmë në fushë.
A ka një strategji specifike që trajneri po përpiqet të injektojë për të sjellë një frymë ndryshe në Kombëtare për ndeshjen me Izraelin? – Këto ditë kemi pasur pak kohë në dispozicion, por idetë janë të qarta. Për aspektin taktik besoj se do të flasë trajneri. Ne jemi të gjithë gati të zhvillojmë ndeshje të mira, sepse më pas do të vijnë sfida edhe më të rëndësishme. Izraeli ka pasur rritje në vitet e fundit, është një skuadër teknikisht shumë e mirë, sidomos në sulm, dhe do të tregojmë kujdes maksimal në këtë ndeshje.
Si lider, e sheh energjinë brenda grupit për ta zhvilluar këtë dyvjeçar me trajnerin Maran në nivele më të larta se më parë? – Nuk është e thjeshtë, pasi ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë djemtë. Me një trajner dhe frymë të re, të gjithë duan të tregojnë veten për të fituar një vend në Kombëtare, sepse nuk është e lehtë të jesh pjesë e saj. Energjia është shumë pozitive, ashtu siç ka qenë edhe në vitet e kaluara. Ne do të synojmë të arrijmë sa më lart dhe shpresojmë të kualifikohemi në turne të mëdhenj.