Vllaznia dhe Elbasani pritej që të ndanin luftën me njëri-tjetrin për titullin kampion, por të dyja këto ekipe kanë humbur në javën e parë të Final Four. I ftuar në Mega Sport që transmetohet në A2 CNN, Ilir Alliu, ka treguar se këto humbje lidhen me faktin se këto klube nuk kanë luajtur seriozisht në javët e fundit të kampionatit të rregullt dhe fatura është kjo.
“Përse humbën Vllaznia dhe Elbasani? Le të shohim pak si erdhën në Final Four. Vinin nga tolerime në 3-4 ndeshjet e fundit, përvec Egnatias që kishte 2 fitore dhe 2 barazime në 4 ndeshjet e fundit. Futbolli është vazhdimësi, nuk gjendet rrugës. Kur u vu re neglizhenca e ekipeve të Final Four, e thamë se do të ndodhte kjo. Në futboll ka një ligj, formën nëse e gjen, mos e lësho, se nuk e gjen dot më pastaj.
Elbasani ka produktin e 3 humbjeve radhazi dhe forma sportive nuk është dicka materiale, që ti e gjen sot, e lë të shtëpia dhe e merr ditën që të duhet. Ajo është uniforma, jo formë sportive. Forma sportive do ritëm, të mbash ekipin në tonus, pas 3 humbjesh nuk e gjen dot, këto janë gafa të rënda. Edhe Vllaznia vjen në mënyrë të tillë, me 3 humbje në 4 javët e fundit. Nëse ti nuk e provon ekipin seriozisht në 3 javët e fundit, nuk ke sesi të hysh për titull kampion”, tha Alliu. /Sport Ekspres/