Nga Gerti Çarçani
Përtej garës së këtij fund-sezoni, ajo që është më interesante është raporti bashki-klub në aspekt me investimin dhe finalizimin e tij. Vetëm pak orë më parë deputeti demokrat i Lushnjes, Saimir Koreshi me të drejtë, apo pa të drejtë akuzoi nga Parlamenti në formë politike të përdorimit të çështjes, zbritjen e Lushnjes një kategori më poshtë se e para (pra e dyta aktuale dhe e treta e dikurshme), me një bashki që për të disatën herë lëvron një fond mbi 400-500 milionë lekësh të vjetra sezonale. Po kaq, në mos më shumë, gjatë këtyre viteve rekord mban edhe Kavaja që rrit buxhete për të ardhur në Superiore dhe mbetet po aty. Apo Gjirokastra që kërkon të ruajë Kategorinë e Parë dhe është në Play-Out. Dhe në këtë kontekst vijmë te Elbasani.
Një skuadër që është pretendente për të kurorëzuar sezonin me titull. Eshtë sa afër, aq edhe larg titullit, me një investim sezonal që kalon 1.3 milionë euro e ku natyrisht Bashkia nuk e rruan në asnjë sekondë dhe për asnjë rrethanë të akordojë qoftë edhe një cent në këtë drejtim, përsa kohë ndoshta “ua ka pirë lëngun” financuesve. Kemi dy modele të tjera bashkiake paralele: Njëra në Vorë, me homologun e Llatjas, kryebashkiakun Shera që akordon një fond prej 25 milionë lekësh të rinj në vit, për atë Bashki që nuk ka buxhetin e Elbasanit, për të ardhur te Librazhdi i Kategorisë së Dytë që akordon 16 milionë lekë të rinj për Sopotin që tenton të ngjitet dhe të zërë radhën për më lart.
Pse kape si model Elbasanin do të mendonte shumëkush nga ju? Për shumë arsye: Sepse rasti Elbasani është më interesanti!
Sepse së pari është qytet i madh, me buxhet shtetëror vjetor, mbi 4.3 miliardë të rinj.
Së dyti, në raport me qytetet e tjera ka buxhet shumëfish!
Së treti, ka injoruar me elegancën më të bukur etalonin e bashkive të tjera të mëdha në raport me kontributet për futbollin.
Së katërti, në një mënyrë apo tjetër ka një fond në dispozicion të sportit në Bashki dhe e përdor, ose politikisht, ose krejtësisht pa sens dhe në rrugë preferenciale.
Së pesti, për momentin krenaria e qytetit është vetëm futbolli, dhe nuk është se në sportet e tjera Elbasani luan në …Champions
Së gjashti, kryetari nuk mund të anashkalojë pa asnjë sens Këshillin Bashkiak!
E të tjera, e të tjera…
Librazhdi fqinj, si Bashki jep 160 milionë (te vjetra), fqinji i madh afër tij s’ka kokërr leku të jap qoftë edhe një fond për një lulishte afër fushës stërvitore (fjala që bie).
Edhe rasti i Shkodrës është deri diku identik, por kryetar Beneti ka kaluar në pritshmëritë e tij dhe ka shpallur premion prej 15 milionë lëkësh të rinj, nëse Vllaznia fiton titullin. Kurse deri tani, premio për Elbasanin është vetëm një buzëqeshje e thellë bashkiake. Këtë, presidenca e Elbasanit e ka mëse të garantuar. Dhe nuk duhet të shqetësohet e të rrijë pa merak të mendojë Final 4.
Bashkia e madhe Tiranë nuk akordon fonde, por ka instaluar premion prej 15 milionë lekësh të rinj në rast fitimi të titullit për këdo ekip.
E bëri me Tiranën, më pas me Partizanin, në pritje për të tjerë.
Politika e majtë në Elbasan (se ajo e djathta nuk dihet ku është, nëse është) qaset ta përdorë këtë sukses të klubit dhe ta shesë si benefit politik, por, po kjo politikë nuk guxon dhe nuk ushtron ndikim të atillë te kryetari. Nuk nxitoj të them që nuk do, por as i ka shkuar ndër mend ta bëjë. Gjithsesi në kohë janë ende. Thjesht dëshira…
Kamera fokuson shpesh shumë deputetë të majtë në stadium, duken shpesh të buzëqeshur dhe me lumturi që e kalon paketën e maleve, kur Lajthia shënon dhe Totoshi pret, ashtu sikundër i dhemb shpirti kur ekipi humbet. E vuajnë shumë humbjen, por në Parlament shkojnë. Të vetmin kontribut që kanë, blejnë biletën e ndeshjes…..
Por, për të kërkuar diçka te Gledi Llatja, aty humbasin rrugën. Le ta bëjnë të djathtët, le ta përdorin edhe politikisht, por në fund ta bëjnë. Rëndësi ka finalizimi.
Keqardhje që një qytet kaq i madh, kaq i zhurmshëm, me kaq produkt politik dhe së fundmi edhe me pritshmëri për kampion, ta injorojë kaq bukur ekipin e qytetit të tij. Nuk e vendos premio nëse Elbasani shpallet kampion, ata edhe mund të mos dalin, por në këto dy sezone kur buxheti për ekipin ka shkuar ik e pirdhu, Bashkia ofron vetëm buzëqeshje dhe kërkon akreditim te VIP-i.
Elbasani mund të mos e fitojë titullin se gjithçka mund të ndodhë në fushë, e cakton fusha dhe vetëm ajo trofeun, por ka fituar titullin e tifozëve, ku mes tyre deputetët e majtë vijnë sa për dekor dhe benefit politik në stadium. Nga një kontribut modest i ndan vetëm një mbledhje e Këshillit Bashkiak. Thjesht nuk duan ta bëjnë sepse brenda vedit thonë: Sa të jenë këta të çmendurit, pse ti çojmë dëm lekët e taksapaguesve tanë të nderuar…???? Ti ruajmë si sytë e ballit!
Kryetar, s’ka asgjë personale, thjesht bëj vetëm 1 përqind të asaj që bënte Shpëtim Gjika dikur në Vlorë. Mjafton. Nuk ka shumë rëndësi nëse kandidon apo jo sërish vitin e ardhshëm, sepse një kryetar apo kryetare në një mënyrë apo tjetër do ta drejtojë qytetin. Por vlen shumë nëse në këtë vit titull ti do të lije një gjurmë, duke i hedhur topin edhe opozitës në Këshill Bashkiak! /Sport Ekspres/