Igli Tare ka folur për mikrofonin e “DAZN”-it përpara të fillimit të ndeshjes kundër Veronës. Drejtori sportiv i Milanit ka deklaruar se Alegri ka një kontratë të gjatë me klubin, i cili këtë sezon ka objektiv kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, Tare ka hedhur poshtë zërat se e ardhmja e tij është e lidhur me atë të trajnerit.
“Nuk ka kuptim të flasim për këto situata në lidhje me të ardhmen tani. Duhet t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona në objektivin tonë, që është Liga e Kampionëve. Nuk ka asgjë për të diskutuar për Alegrin. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ka një kontratë të gjatë. Po punojmë së bashku në një projekt të rëndësishëm për të ardhmen.
A është e ardhmja ime e lidhur me atë të Alegrit? Nuk mendoj kështu, e them këtë me shumë qetësi. Kur rezultatet nuk janë të mira, gjithçka është në diskutim dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Gjëja më e rëndësishme është të arrijmë qëllimet tona dhe pastaj të ulemi me Furlanin dhe Ibrën për të zhvilluar një plan fitues për sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar Igli Tare./Sport Ekspres/