Armand Duka flet për Silvinjon dhe zbulon prapaskenën: Ia dhashë Besnik Hasit vendin e trajnerit te Kombëtarja

Armand Duka ishte sot i pranishëm në konferencën për shtyp ku foli sa i përket situatës së trajnerit te Shqipëria. Kreu i FSHF ka thënë se për Silvinjon është ende i hapur vazhdimi i bashkëpunimit, por do të pritet një përgjigje e fundit nga ana e trajnerit. Gjithashtu Duka la të hapur mundësinë për marrjen e një trajneri shqiptar duke kujtuar në të kaluarën se ia dha këtë post Besnik Hasit.

“Në fakt, mbase kontrata në fillimin e saj duhej të ishte në përfundim të ndeshjeve të Play-Off. Ne kishim rënë dakord deri në dhjetor. Nuk mund të bënim një kontratë deri në mars, do të ishte demotivuese edhe për skuadrën. Deshëm të përçonim një mesazh që mund të shkojmë në Botëror, ndaj kontrata është deri pas përfundimit të Botërorit. E para duhet të bindesh veten që mund të arrish. Këtë frymë mund të transmetosh te ambienti dhe skuadra. Nuk besoj se kemi bërë keq, se siç e keni parë në fushën e lojës, kemi bërë paraqitje të mira. Kontrata deri në qershor ishte për të treguar se do të jemi në Botëror.

Trajner shqiptar? Kam ofruar realisht të paktën një herë, i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentin e fundit kur ishim në finalizimin e kontratës, Besniku u tërhoq sepse ia ofroi Anderlehti. Padyshim e kam menduar dhe padyshim e mendoj. E para i kam ofruar trajnerit aktual nëse ka dëshirën për të vazhduar, pastaj janë edhe kushtet nëse kënaqen palët. Kjo gjë do të ndodhë para se të vijnë ndeshjet e qershorit”, tha Duka. /Sport Ekspres/