Botërori 2027 për vajza/ Trajneri Grima: Uellsi, kundërshtar i vështirë. Synojmë një përfaqësim sa më dinjitoz

Kombëtarja e vajzave ka vijuar paraditen e sotme përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Uellsit, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2027. Nën drejtimin e trajnerit Grima, vajzat kuqezi janë të fokusuara maksimalisht për të përballuar një nga kundërshtaret më të forta të grupit.

Në kuadër të kësaj përballjeje, tekniku i përfaqësueses kuqezi theksoi për fshf.org se skuadra është e vetëdijshme për vështirësinë e ndeshjes, por është e motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të synuar një rezultat pozitiv.

“Ne e njohim forcën e Uellsit, e dimë çfarë kundërshtari kemi përballë dhe pretendimet që ka Uellsi në grup. Megjithatë ne po bëjmë përpjekjet tona që të arrijmë të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz aty dhe të arrijmë të marrim diçka spese ndoshta atëherë kur mendohet që kundërshtari është shumë i fortë, na del më e lehtë që të marrim një rezultat pozitiv që ne e presim”.

Trajneri Grima u ndal edhe te situata e grupit, duke theksuar rëndësinë e unitetit të skuadrës, pavarësisht mungesave.

“Përveç Qëndresës, ne kemi edhe Alma Hilajn dhe Endrina Elezajn mungesë. Kemi disa mungesa, por ne e dimë që forca e këtij ekipi është grupi. Sigurisht që gruppi ka nevojë edhe për këto lojtaret cilësore që na mungojnë.

Por me rikthimet që kemi, edhe me ardhjen e Melissa Tom, besoj që do na ndihmojnë spese forcohet grupi dhe konkurrenca. Dhe kur ke konkurrencë dhe një grup të fortë, pretendon edhe për rezultate më të mira” – përfundoi trajneri Armir Grima për fshf.org.

Ndeshja e parë mes Uellsit dhe Shqipërisë do të luhet në Wrexham më 14 prill në ora 20:15 (CET) dhe do të transmetohet live në FSHF TV.