Tirana është me një këmbë në Kategorinë e Parë, Orges Shehi kërkon qetësi: Jemi vetëm pak nervoz, pastaj zgjidhet…

Pak më parë janë mbyllur dy takimet e para sa i përket javës së 27 të Superiores. Tirana ka marrë një goditje shumë të rëndë teksa është mundur nga Elbasani në shifrat 0-1. Goli i Ze Gomes në minutës e 45 do të vendoste historinë e këtij takimi, me miqtë që ia dalin duke grumbulluar tre pikë shumë të rëndësishme.

Tre pikë që e dërgojnë Elbasanin në vendin e dytë me 49 pikë, vetëm 2 pikë më pak se Vllaznia kryesuese. Por nga ana tjetër Tirana mban vendin e parafundit të renditjes me 21 pikë, 5 pikë larg Vorës që ndodhet në vendin e 8, i cili të dërgon në Play Out.

Pas asaj ringritje të vogël në fillim të vitit, Tirana e sheh veten të zhytur sërish. Ndërkohë dueli i mbijetesës mes Bylisit dhe Vorës ka përfunduar në shifrat 1-0, , teksa në minutën e 88, Adeopju do të shënonte golin e fitores. Pas këtij rezultati, Bylisi merr vendin e 7 duke parakaluar Vorën. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka kërkuar sa më shumë qetësi nga ekipi i tij për të menaxhuar situatën.

“Pjesa e dytë ishte shumë pozitive për ne. Ishim me shumë lojtarë në fushën kundërshtare, në zonën kundërshtare. Kjo më jep shpresë, kjo më jep të mendoj që kemi shanset tona për të marrë maksimumin në javët e mbetura. Ajo që ne duhet të bëjmë në këtë fazë të fundit është që të qetësohemi dhe të heqim tensionin në ekip. Unë shoh problem vetëm pjesën e nervozitetit, nëse heqim këtë tension që kemi, atëherë besoj se ka vërtet shumë pak punë për të rregulluar dhe për të marrë maksimumin e rezultateve. Jemi në situatë të vështirë, por besoj se do ia dalim”, tha Orges Shehi. /Sport Ekspres/