“O Zot ma bëj të mundur”! Andi Lila rrëfehet për Kombëtaren: Pas 2 muajsh, gol në San Siro

Një rrugëtim i nisur që 15 vjeç, duke kaluar nga çdo grupmoshë te Kombëtarja e madhe. Ëndrra të realizuara, shumë punë, sinonim i asaj që përfqason Andi Lila. Ish-futbollisti i Kombëtares ka rrëfyer me emocione historinë e tij në “Legjendat flasin”.

Memorien e ka të mirë, mban mend çdo episod, batuta, tregon përjetime dhe flet për Kombëtaren aktuale, ku nuk e shikon një lojtar që t’i ngjaje, por sigurisht vlerëson cilësinë, organizimin dhe uron shumë që ky brez të realizojë një tjetër ëndërr, atë të kualifikimit në një Botëror. Në fund edhe një mesazh.

– Andi, si nisi pasioni për futbollin dhe si e kujton ditën kur u bëre pjesë e skuadrës së Besës së Kavajës?

Futbollin e nisa në moshën 10-vjeçare në Kavajë. Më kujtohet momenti i parë kur profesori i fiskulturës në atë kohë, Fisnik Kosova, më pa në një ndeshje me klasat dhe tha: “Duhet të vish në stërvitje dhe të zhvillohesh si futbollist”. Që atëherë fillova dhe në vitin 2001, kur isha vetëm 15 vjeç, më grumbulloi ekipi i parë i Besës së Kavajës dhe nga ai moment nisa një karrierë si profesionist.

– Si e përjetuat kalimin nga Besa fillimisht në Greqi tek ekipi i Iraklis e më pas në klube si PAS Janina, Tirana dhe Parma?

Kalova një vështirësi në atë kohë. Në fazën e parë të kampionatit me Besën e Kavajës, isha 18 vjeç dhe kapiteni i skuadrës, më i riu në Superligë në atë kohë. Pata një dëmtim te gishti i këmbës dhe për dy muaj nuk u aktivizova, mora kile dhe trajneri në atë kohë nuk më aktivizonte. Doja të largohesha nga skuadra, por presidenti nuk më dha largimin. Më pas rrodhën ngjarjet dhe erdhi merkatoja e janarit. Në atë kohë skuadra e Iraklisit shprehu interes për mua, duke parë që në moshën 18-vjeçare luaja edhe me ekipin Shpresa, U-21 të Kombëtares. Më kishin parë në një ndeshje kundër Greqisë me Shpresat dhe aty firmosa një kontratë profesioniste jashtë Shqipërisë. Ishte një fat i madh në atë kohë që asaj skuadre i nevojitej një lojtar me parametrat e mia.

 

– Ndër eksperiencat më të veçanta kur ke luajtur me këto ekipe, cilën do të veçoje? Diçka që të ka lënë më shumë mbresa në karrierën me klubet?

 

Unë nisa të shikoj futboll në Botërorin e vitit 1994. Isha i dashuruar me Roberto Baggion dhe që atëherë ëndrra ime ishte të luaja një herë në Serie A. Kjo u realizua në vitin 2015. Pavarësisht se nuk pati një kohëzgjatje të madhe, ëndrrën time e realizova dhe luajta në Serinë A. Do ta veçoj sepse mendoj se është maja e karrierës sime. Për sa i përket rendimentit që dhashë me klubet, për aq kohë sa isha në Serinë A, bëra një paraqitje të mirë.

 

– A është goli kundër Interit në Serinë A ndoshta më i rëndësishmi në karrierën tënde si futbollist? Flasim në nivel klubesh.

 

Sigurisht. Në vitin 2014 Shqipëria luajti një ndeshje miqësore në Genova kundër Italisë, ajo ndeshja e famshme ku u kënduan të dy himnet njëkohësisht, pasi stadiumi ishte plot me shqiptarë dhe shqiptarët janë integruar në mënyrën më të mirë në Itali. Tre ditë më parë ne shkuam në San Siro për të parë një ndeshje të Italisë ndaj Kroacisë dhe kur jam futur në stadium, jam mahnitur nga ai stadium i jashtëzakonshëm, mitik, ku kishin luajtur yjet e futbollit botëror. Lutesha dhe thoja: “O Zot, ma bëj të mundur që edhe unë të luaj njëherë në këtë fushë, të mos e mbyll karrierën pa luajtur këtu”. Nuk zgjati shumë; pas 2-3 muajsh luajta në atë fushë, bëra edhe gol dhe mendoj se është goli më i rëndësishëm i karrierës time.