Vllaznia përmbys Tiranën në klasiken e futbollit shqiptar, në Shkodër vazhdon ëndrra për titullin kampion

Java e 26 e “Abissnet Superiore”-s është hapur me klasiken e futbollit shqiptar. Vllaznia ka mundur Tiranën në “Loro Boriçi” me shifrat 3-1. Bardheblutë kaluan të parët në epërsi, teksa Xhixha tundi rrjetën në minutën e 25. Por festa e kryeqytetasve zgjati vetëm 6 minuta.

Bismarku shënoi golin e barazimit për Vllazninë, duke i hapur rrugë përmbysjes. Pjesa e dytë e lojës nisi me një autogol të Kotes, ndërsa më pas ishte Balaj ai që vulosi rezultatin përfundimtar në 3-1 pas një goli të shënuar nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 71-të. Shkodranët marrin kështu 3 pikë mjaft të vyera dhe vazhdojnë të ëndërrojnë për titullin kampion. Ndërkaq, situata vështirësohet edhe më tepër për Tiranën, me bardheblutë që mbeten të parafundit në renditjen e “Abissnet Superiore”-s./Sport Ekspres/