Është vënë në shënjestër për racizëm ndaj Viniciusit, lojtari i Benfikës zbulon çfarë i tha brazilianit

Xhanluka Prestiani është vënë në shënjestër së fundmi për ngjarjen e ndodhur në përballjen “play off” të Ligës së Kampionëve kundër Realit të Madridit. Argjentinasi pati një përplasje me Vininiciusin dhe në një moment mbuloi gojën me fanellën e tij. Viniciusi shkoi menjëherë drejt arbitrit dhe akuzoi Prestianin për racizëm, version të cilin e mbështeti edhe Mbapeja.

UEFA çeli një hetim për të zbardhur këtë çështje. Sipas “ESPN”-së, lojtari i Benfikës ka dhënë versionin e tij në UEFA, ku ka mohuar të ketë thënë shprehje raciste kundrejt Viniciusit. Megjithatë ai ka pranuar të ketë thënë fjalën “m*ricon”, e cila në gjuhën spanjolle është një shprehje anti-homoseksuale. Vlen të theksohet se kjo çështje ka hapur një debat të gjerë në botën e sportit, teksa shumë personalitete të njohura të futbollit kanë mbajtur publikisht një qendrim./Sport Ekspres/