Ditën e sotme janë luajtur dy ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Vllaznia është larguar me fitore nga transferta në Ballsh. Ndeshja e zhvilluar në “Adush Muça” është mbyllur me shifrat minimale 0-1. Gjithçka u vendos në minutën e 28, atëherë kur Kastrati shndërroi në gol një 11 metërsh.
Në krahun tjetër Egnatia ka përmbysur Teutën në stadiumin “Niko Dovana”. Sfida u zhbllokua në minutën e 11 nga Arifi. Por në minutën e parë shtesë të pjesës së parë Adjessa riktheu baraspeshën. Në fund ishte Kryeziu ai që me një gjuajtje nga jashtë zone në minutën e 91-të i dha fitoren 1-2 Egnatias. Ndeshjet e kthimit, kur do të përcaktohen edhe ekipet që do të kualifikohen në gjysmëfinale, do të luhen më 4 mars./Sport Ekspres/