Joan Laporta ka përfunduar mandatin e tij si president i Barcelonës. Megjithatë, ai ka hedhur sërish kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 15 mars. Në deklaratën e tij për mediat pas mbledhjes me Bordin Drejtues, Laporta nënvijëzoi arritjet e tij gjatë mandatit 5-vjeçar, si dhe ka nënkuptuar ambicien e tij për të fituar trofeun e Ligës së Kampionëve.
“Po largohem me dëshirën për t’ju parë sërish së shpejti. Tifozët janë të lumtur. Kemi rifituar gëzimin. Po e lë klubin në një gjendje më të mirë se sa para 5 viteve. Na u desh të merrnim vendime të vështira dhe duke parë se si shkuan gjërat, ndihemi krenarë.
Lojtarët janë arkitektët e sukseseve të 5 viteve të fundit, janë shumë tituj… disa na kanë ikur, por do t’i lëmë për vitet e ardhshme nëse anëtarët na votojnë. ‘Spotify Kamp Nou’? Është projekti kapital më i madh në historinë e klubit”, ka deklaruar Joan Laporta./Sport Ekspres/