Elbasani fiton dhe mban ndezur ëndrrën për Final Four, Skënderbeu e mbyll 2024 në vendin e fundit

Skënderbeu-Elbasani ishte takimi që hapi siparin e javës së 19 të Superiores dhe të fundit për vitin 2024. Një ndeshje e cila është mbyllur në shifrat 0-2 në favor të Elbasanit. Pas kësaj fitore, Elbasani renditet në vendin e 5, me 5 pikë më pak se Egnatia dhe një ndeshje më shumë për të luajtur.

Por duke marrë parasysh ndeshjet direkte që do të zhvillojnë katër vendet e para, ky rezultat mund të quhet pozitiv me Elbasanin që mban ndezur ëndrrën për Final Four dhe me shumë gjasa do të shkurtojë diferencën pas dy finaleve që do të zhvillohen në javën e 19 të Superiores.

Ndërkohë Skënderbeu renditet në vendin e fundit me 15 pikë, në një krizë totale, por ende në lojë për të reaguar dhe për të mos rënë nga elita, pavarësisht se këtë herë misioni është shumë më i vështirë. Të dy golat e këtij takimi janë shënuar në pjesën e dytë. Pas një devjimit të portierit të korçarëve në minutën e 64, Lleshi i ndodhur në zonë e dërgoi topin në rrjetë. Ndërkohë në minutën e fundit ishte sërish portieri që grushtoi, në mënyrë jo të mirë dhe Gomes mbylli ndeshjen. /Sport Ekspres/