Stadiumi kthehet në një problem për Barcelonën. Për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve, “Camp Nou” nuk do të jetë gati për katalanasit në vitin e ri kalendarik. Për këtë arsye blaugranat duhet të gjejnë një alternativë për të zhvilluar ndeshjet e tyre në Champions League.
Stadiumi “Montjuic”, ku Barça luan aktualisht takimet në shtëpi, nuk i përmbush kriteret e UEFA-s për të zhvilluar ndeshjet me eleminim direkt. Në këto kushte, drejtuesit kanë nisur nga puna për të gjetur impiantin e ri.
Sipas “Marca”-s, tre opsione qendrojnë në tryezë për zyrtarët e Barcelonës. Bëhet fjalë për stadiumin e rivalëve të qytetit, Espanjolit, “Mestalla”-n e Valencias dhe alternativa e tretë është… Madridi. “Wanda Metropolitano” e Altetico Madridit shihet si një nga opsionet e Barçës. Mbetet për t’u parë cila do të jetë zgjedhja e klubit katalanas./Sport Ekspres/