Ernest Muçi vazhdon të jetë një emër që flitet shumë sa i përket transferimit të tij në Turqi. Që në momentin e parë kur shkoi te Beshiktashi u fol për një largim të mundshëm të lojtarit shqiptar drejt Premier League, më saktë drejt Aston Villa.
Deri këtu është gjithçka në rregull pasi bëhet fjalë për një hap të madh përpara dhe për një ekip që do të investonte jo pak për futbollistin shqiptar. Por së fundmi mediat në Turqi kanë zbuluar një ofertë qesharake për Ernest Muçin.
Sipas tyre, një ekip nga Championship në Angli, niveli i dytë i futbollit, ka bërë një ofertë për Muçin. Sigurisht që edhe kalimi në këtë kampionat nuk mund të quhet i keq pasi Championship ka një nivel shumë të lartë futbolli në Angli dhe mund të krahasohet lehtësisht me ekipet e Serisë A apo La Liga, duke hequr emrat e peshës së rëndë në këto kampionate.
Por ajo që e bënte qesharake ofertën ishte shifra e dhënë për shqiptarin, 3.5 milionë euro. Ndërkohë Beshiktashi pagoi 11 milionë euro për ta marrë Mucin nga Legia në sezonin e shkuar, ndërsa vlera aktuale e tij është 12 milionë euro në treg. Mediat në Turqi janë shprehur se kjo ofertë qesharake ka demoralizuar drejtuesit e Beshiktash që nuk mund ta kuptonin sesi një ofertë e tillë mund të mbërrinte në klub dhe sigurisht, nuk mund të mendohej shumë gjatë refuzimi i saj. /Sport Ekspres/