Kristian Shpendi ishte në kulmin e karrierës së tij. Pas një sezoni fantastik në Serinë C me Cesenën, sulmuesi shqiptar po mbante të njëjtën ritëm edhe në Serinë B. Për shkak të një niveli më të lartë vështirësie, këtë herë Shpendi tërhoqi më shumë vëmendjen e mediave italiane.
Madje ato përfolën edhe një mundësi të thirrjes së tij te Kombëtarja e Italisë. Aktualisht Shpendi po mban në kryesim listën e golashënuesve në Serinë B, por jo për shumë kohë. Kjo pasi lojtari është dëmtuar dhe sipas vlerësimeve të mjekëve, e ka mbyllur vitin 2024 përpara kohe duke humbur të paktën katër ndeshje.
Por më e dhimbshmja qëndron në faktin se Shpendi do të humbas ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Atalantës. Kjo ishte e vetmja ndeshje vitrinë për Kristianin që të tregonte vlerat e tij ndaj një ekipi të madh, larg nivelit të Serisë B. Gjithashtu edhe për tifozët shqiptarë do të ishte jo pak interesante për të parë mënyrën sesi do luante Kristian Shpendi kundër një ekipi si Atalanta. Por për fatin e keq, Kristiani do ta humb këtë mundësi të artë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/