Rei Manaj meriton ndjesë publike në Turqi! E kryqëzuan për ndërjyrjen ndaj lojtarit të Komëtares turke, sulmuesi kthehet titullar pas… 1 jave

Më datë 8 dhjetor Rei Manaj u përball në fushë me kampionët në fuqi të Turqisë, Gallatasarain. Një sfidë që përfundoi me sulme të padrejta mediatike karshi tij. Shkak u bë ndërhyrja e sulmuesit shqiptar ndaj Barish Alper Jëllmazit. Opinioni sportiv në Turqi kritikoi arbitrin për mosdhënien e kartonit të kuq, si dhe kryqëzoi Rei Manajn me konstatime tejet të ekzagjeruara.

“Nuk ka shumë për të folur rreth futbollit. Ai që dëmtoi një lojtar të Kombëtares duhet të japë llogari”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Gallatasarait. “Rei Manaj vrau Barish Alper Jëllmazin sot. Ai vrau një lojtar të ekipit kombëtar. Arbitri duhet të japë dorëheqjen menjëherë”, ishin fjalët e zëvedëspresidentit të Klubit Sportiv Gallatasarai. Për të vazhduar më tej me deklaratën e lojtarit të klubit nga Stambolli, Junuz Akgynit: “Barish Apler Jëllmazi po qante me lot. Jemi të gjithë të trishtuar. Ndoshta ka thyer këmbën, nuk e dimë”.

Deklaratat e pakursyera sollën edhe një reagim nga vetë Federata e Futbollit të Turqisë, duke ngritur një situatë aspak normale për Rei Manajn. Por vetëm një javë më vonë, lojtari “i vrarë” në fushë nga futbollisti shqiptar për të cilin vajtoi gjithë klubi kampion i Turqisë zbriti sërish në tapetin e blertë. Barish Alper Jëllmazi e nisi titullar sfidën e sotme kundër Trabzonsporit, duke nxjerrë bllof deklaratat e dhëna për Rei Manajn. Ky i fundit ra pre e një presioni të jashtëzakonshëm, të cilin koha e vërtetoi shumë shpejt se ishte krejtësisht i panevojshëm, dhe tashmë ka ardhur momenti që të dëgjojë një ndjesë publike nga klubi i Gallatasarait. I detyrohen./Sport Ekspres/