“Festoj me shqiponjë në Beograd, të bashkuar s’ka forcë që na del para”, këshila e Seferit: Me kokë të ftohtë dhe zemrën flakë

Taulant Seferi ka qenë i pranishëm në emisionin “Sport Show” në “Klan Kosova” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Lojtari shqiptar ka komentuar shortin e Kombëtares për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Seferi ka pranuar se përballja me Serbinë do të jetë emocionale. Ai ka zbuluar edhe këshillën që i ka dhënë futbollistëve kuqezinj për këtë sfidë.

“Është një grup shumë i fortë. Kur na ra Serbia menjëherë mendova se do të jetë një kompeticion shumë emocional për të gjithë ne lojtarët. Ia kam thënë edhe shokëve që duhet të jemi me kokën e ftohtë dhe me zemrën flak. Atë ndeshje padyshim që mezi e presim.

Si profesionist mendoj se do të jetë ndryshe nga ndeshja për kualifikueset (për Euro 2016). Tani do të shohim më shumë futboll. Në atë kohë ka pasur shumë provokime nga ana e serbëve dhe është përshkallëzuar situata. Ajo që dëshiroj dhe që shpresoj është që në këto dy ndeshje ta tregojmë veten si profesionistë. T’i fitojmë të dy ndeshjet ndaj Serbisë dhe të kemi një kompeticion pozitiv. A do të festoj me shqiponjë në Beograd? Sigurisht që po.

Ne grupin e kemi më të fortë se të Serbisë. Si grup jemi shumë më të fortë, edhe pse lojtarët serbë luajnë në klube të mëdha. Por unë e kam thënë që nese jemi të gjithë bashkë ne shqiptarët, s’ka forcë që na del përpara. Kështu që shpresoj që të jemi të bashkuar dhe po të jemi të bashkuar kemi për t’ja dalë”, është shprehur Taulant Seferi./Sport Ekspres/