Drejtori i Komunikimit në FSHF thyen heshtjen dhe sqaron opinionin publik: “Mora fjalë” nuk është çensuruar, shpikja e radhës për të prodhuar debat

Kënga “Mora fjalë” është kthyer në një çështje ditët e fundit. Pretendimet për çensurimin e saj në stadiumin “Arena Kombëtare” kanë qenë kryefjala e mediave. Drejtori i Komunikimit në FSHF ka reaguar përmes një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare të Federatës në “Facebook”. Fatjon Kodra ka bërë të qartë se kënga “Mora fjalë” nuk është censuruar.

Më tej ai sqaron opinionin publik se përpara fillimit të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, edhe nëpërmjet konsultimit me sugjerimeve publike, “Po ku ka si ti o Shqipëria ime” u përgjodh të ishte kolona zanore e ekipit tonë kombëtar, si dhe sllogani që do ta shoqëronte përgjatë gjithë turneut./Sport Ekspres/

Editorial / Dy fjalë për… “Mora fjalë”

Nga Fatjon Kodra*

Ndodh shpesh që edhe rreth lojës tonë të bukur të dëgjojmë të shpiken çështje, edhe kur nuk ka çështje. E përsëri, e pavërteta bëhet përherë virale. Tashmë, mungesa e një kënge është alibia apo shpikja e radhës për të prodhuar pak axhendë debati.

Shkurt dhe qartë, për të parën dhe të fundit herë, për të gjithë producentët shpikës të një “barcalete” të tillë:

Krejt hapur, dhe në mënyrë transparente FSHF muaj përpara fazës finale të Europianit “Gjermani 2024” zgjodhi, edhe nëpërmjet konsultimit dhe sugjerimeve publike kolonën e saj muzikore “Po ku ka si ti o Shqipëria ime!” (kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime” e kënduar nga Vaçe Zela) për të qenë himn i saj dhe slogan në Europian. Po kështu, më tej edhe këngën “Albania” të Capital T!

Dhe kjo ishte një zgjedhje siç çdo institucion do të bënte përpara një eventi madhor.

Po kështu, kjo këngë simbol dhe e gjithëpëlqyer në çdo truall shqiptar e kudo në botë ku jeton mbarë shqiptaria është pritur po kaq mirë në mbështetje të skuadrës tonë.

Kjo nuk do të thotë që FSHF censuroi këngë të tjera, apo në rastin konkret, me gjithë respektin maksimal, këngën e zonjës Fejza “Mora Fjalë”, për të cilën është shpikur së fundmi e gjithë kjo tollovi pa sens.
Ne nuk kemi asnjë tagër të censurojmë, jo këtë këngë muzikore, por asnjë prej shumë të tjerave që këndohen e pëlqehen nga e gjithë shqiptaria në ndeshjet e ekipit kombëtar të futbollit.

“Po ku ka si ti o Shqipëria ime!” është edhe brandi që ne zgjodhëm e që na shoqëron me plot pasion në çdo stadium kombëtar e ndërkombëtar ku luajmë. Sikundër natyrisht, edhe plot të tjera nga buqeta muzikore e këngëve në stadiumet tona, një prej të cilave është edhe “Mora fjalë!”.

Nuk kemi patur, nuk kemi e as nuk do të kemi kurrë asnjë herë dëshirën të biem në një marrëzi të tillë të shpikur nga hiçi, por, për respekt edhe të kësaj krijimtarie muzikore sollëm edhe ne dy fjalë për… “Mora fjalë”.

Nuk ka qenë asnjë herë shqetësimi ynë, por le të mbetet axhendë e shpikjes, si një alibi radhe për të bërë pis atë që do të mbetet e pastër përherë…

*Drejtor i Komunikimit – FSHF