Las Palmasi ka befasuar Barcelonën, duke e mposhtur sot me rezultatin 1-2. Një tjetër hap fals në kampionat për katalanasit, që më parë u mposhtën nga Real Sosiedadi dhe barazuan me Selta Vigon. Hansi Fliku ka shpjeguar në konferencë arsyet e këtyre rezultateve negative. Trajnerit i Barcelonës i djeg ende ai goli i anulluar i Levandovskit kundër Real Sosiedadit, teksa është shprehur se edhe sot e kësaj dite nuk ka gjetur dot një shpjegim për atë vendim të arbitrit.
“Jemi në krye të tabelës dhe kundërshtarët përpiqen të na godasin duhet ta pranojmë këtë. Gjithmonë ka një arsye pas humbjeve. Në San Sebastian e dimë tashmë se çfarë ndodhi. Shënuam golin e parë, pozicion jashtë loje… dhe deri ditën e sotme askush nuk ka mundur të ma shpjegojë se nga ku doli ai pozicion jashtë loje. Kundër Seltës ishim 2 gola para. Më pas erdhi kartoni i kuq. Vuajtëm dhe pësuam 2 gola. Në këtë ndeshje, duhet të fitonim. Megjithatë rezultati nuk ishte i mirë. Secila ndeshje është e ndryshme. Goli i dytë i Las Palmasit na vrau. Provuam deri në minutën e 98, por nuk i shfrytëzuam dot rastet”, ka deklaruar Hansi Flik./Sport Ekspres/