“Lojtarët e Vllaznisë shkuan të provokonin tifozët e Tiranës”! Artan Pogoni: Ishte shkak-pasojë, ky reagim ndodh në gjithë botën

Tirana është dënuar pa tifozë për gjithë pjesën e mbetur të sezonit. Kjo për shkak të sjelljes së tifozëve në ndeshjen kundër Vllaznisë, atje ku kanë hedhur lëndë plasëse që kanë dëmtuar tre lojtarë shkodranë. Për këtë çështje është komentuar në emisionin e ri sportiv “Max Sport” që transmetohet tanimë në “EuroNews Albania”, çdo të dielë në mbrëmje. I ftuar në të, Artan Pogoni, ka dhënë një tjetër këndvështrim.

“Po ta rishikojmë edhe njëherë atë që ndodhi, tifozët e Tiranës u provokuan nga futbollistët e Vllaznisë. Kanë shkuar atje dhe kanë bërë edhe gjeste. Është shkak pasojë. Sigurisht që nuk mund të mbështes atë sjelljen dhe veprimin e bërë nga tifozët e Tiranës, por në gjithë botën nëse ti shënon gol dhe provokon tifozerinë kundërshtare, kemi parë episode nga më të ndryshme, janë gjuajtur dhe janë sharë”, tha Pogoni. /Sport Ekspres/