Berat Gjimshitin e kemi parë gjithmonë si një mbrojtës të pakalueshëm, që me tipin e tij të lojtarit i ngjason më shumë një futbollisti nordik dhe më pak atij shqiptar. Arsyeja është e thjeshtë, ftohtësia që ka ky njeri, si në fushën e blertë me ndërhyrjet e tij, por edhe në festimet e fitoreve si te ekipi ashtu edhe te Kombëtarja, tërheq vëmendje të madhe.
Por një ftohtësi që vlerësohet shumë për shkakun se Gjimshiti ka disa vite që po mban nivele të larta radhazi, është një lojtar i ftohtë, por nuk kursehet aspak në ndërhyrjet ndaj kundërshtarit. Për fatin e mirë, Atalanta e shqiptarit fitoi në shifrat 0-3 duke mbyllur magjinë e madhe të Napolit të Antonio Conte, që dukej i pakalueshëm. Dy gola të realizuar nga Lookman dhe një gol i shënuar nga Retegui, vendosi për fitoren e Atalantës.
Goli i tretë u shënua në minutat shtesë me anë të Reteguit. Menjëherë pas atij goli të shënuar, një prej lojtarëve të Napolit që qëndronte në stol, Mazzocchi, krijoi një telash me Berat Gjimshitin. Ai e ofendoi lojtarin shqiptar dhe situata u përshkallëzua shpejt. Gjimshiti si rrallëherë në këto pamje, la mënjanë për një moment nordikun dhe tregoi menjëherë origjinën e tij, duke qëndruar “dhëmbë për dhëmbë” me lojtarin italian, që duhej të zmbrapsej në atë moment. Arbitri Doveri u detyrua që të ndërhyjë për rivendosur qetësinë duke u nxjerrë të dy lojtarëve nga një karton të verdhë. Ndërkohë mes tyre janë thënë disa fjalë të ashpra dhe ka pasur shtytje fizike, ku u përfshin edhe lojtarë të tjerë. /Sport Ekspres/