Një tragjedi ka prekur familjen e Alban Bushit. Prindërit e tij, Ali dhe Bukurije Bushi, kanë humbur jetën në Greqi. Sipas asaj që raportohet, të dy prindërit e Alban Bushit, në moshën 71 dhe 73 vjec, ndodheshin në automjet dhe janë përplasur nga mbrapa. Një përplasje aq e rëndë sa për fatin e keq, ata ndërruan jetë.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i FSHF dhe kreut të saj, Armand Duka: “Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.
Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore.
Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Qoftë kujtimi i tyre i paharruar”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/