“Do të ketë atmosferë fantastike në stadium, ky është motiv shtesë për ne”, trajneri i Gjeorgjisë do fitoren: Do të luajmë si ndaj Çekisë

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 20:45, ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë presin Gjeorgjinë në “Air Albania”, ku parashikohet një atmosferë e zjarrtë, duke qenë se janë shitur të gjitha biletat. Trajneri i Gjeorgjisë është paraqitur në konferencë për shtyp ditën e sotme, ku ka shprehur mendimet e tij për sfidën ndaj Shqipërisë.

“Kombëtarja shqiptare ashtu si ne u paraqit mirë në Europian. E dimë që përballemi me një ekip shumë të fortë. Do të ketë një atmosferë fantastike në stadium dhe do të duhet të luajmë në një ambient të vështirë. Ky është një motiv shtesë për lojtarët që të luajnë vigjilent.

Dy vite më parë e mbyllëm miqësoren me Shqipërinë në barazim (0:0) dhe e studiuam mirë kundërshtarin. Ne do të përpiqemi të tregojmë futbollin tonë dhe të luajmë aq të përqendruar siç arritëm të bënim kundër kombëtares çeke në Tbilisi.

Pavarësisht rezultatit, nuk mund të them se patëm një ndeshje të lehtë kundër Republikës Çeke, vetëm se lojtarët treguan lojën e tyre më të mirë. Duhet ta luajmë ndeshjen e dytë brenda një kohe të shkurtër, kishim një ditë pushim, por do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë”, ka thënë Uilli Sanjol./Halit Delibashi-Sport Ekspres/