Shpëtim Duro është një prej atyre trajnerëve shqiptarë, ose që të jemi më të saktë, ndër të paktët trajnerë shqiptarë, që e ka treguar sesa i vlen lëkura në Europë. Ashtu siç disa trajnerë janë ekspertë për të fituar titullin kampion në një kampionat, për të dërguar në Europë apo për të bërë një skuadër që të mbijetojë në kategori, Shpëtim Duro ka si specialitetin e tij kalimin e tureve në Europë dhe përfaqësimin në nivelet më të larta.
Pasi e tregoi këtë anë të tij në Shqipëri, e bëri edhe me Strugën në vitin e shkuar. Një skuadër me buxhet shumë modest, me lojtarë që ishin në moshë të madhe dhe tërësisht e arnuar, por pavarësisht se luanin për herë të parë në historinë e tyre në nivele të tilla, Duro i tregoi rrugën e suksesit.
Jo pak, por duke mbërritur deri në turin e tretë të Conference League. Në fund, Struga do të eliminohej vetëm nga Breidabliku që fitoi në të dyja ndeshjet me rezultatin minimal 1-0. Thuhet se për të kuptuar vlerën më të madhe të një personi, në fillim duhet ta humbasësh atë sepse kur e ke, ndonjëherë nuk arrin dot ta kuptosh.
Kështu ndodhi edhe me rastin e Duros, teksa pa të, Struga është eliminuar në të dyja ndeshjet. Fillimisht nga Champions League duke humbur të dy takimet me Slovan Bratislavan dhe më pas është eliminuar edhe nga Conference League, teksa ekipi armen i Pyunik Yerevan e ka nxjerrë përfundimisht nga gara dhe i ka mbyllur punën e një sezoni, pavarësisht se këtë herë kishin shpenzuar më tepër. Por jo gjithmonë një shumë më e madhe të garanton më tepër sukses, duhet të dish se ku të shpenzosh. Me siguri që te Struga tani duhet të jenë penduar ose të paktën të kenë kuptuar gabimin e bërë. /Sport Ekspres/