Në mbrëmjen e sotme, Dinamo e Kievit do të përballet me Partizanin e Beogradit. Kjo ndeshje është e vlefshme për turin e dytë të Champions League. Sigurisht që futbolli thyen barrierat politike dhe ka në funksion të tij bashkimin e njerëzve, por është e pamundur që e kaluara të harrohet apo për më tepër, kur plaga është ende e hapur.
E tillë është situata për ukrainasit, që do të përballen me ekipin serb. Serbët dihet që janë mbështetësit e parë të Rusisë në Europë, ndërsa lojtarët ukrainas kanë familjarët e tyre që po vuajnë nga lufta që po ndodh për shkak të sulmit rus.
Për këtë arsye, trajneri i Dinamos së Kievit Oleksandr Shovkosvki, ka bërë një deklaratë tërësisht të pazakontë në konferencën për shtyp. Ai nuk zgjodhi të ishte diplomatik dhe të bënte sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Përkundrazi, përpara nisjes së konferencës, mbajti një fjalim vetëm për këtë ngarkesë që do të ketë ndeshja e sotme dhe tregoi se lojtarët e Dinamos së Kievit nuk do t’i shtrëngojnë duart me serbët e Partizanit të Beogradit pasi përpos të gjithave, Partizani i Beogradit ka luajtur në një turne vëllazëror që është bërë në Rusi për t’i treguar mbështetjen e madhe që kanë për ta, në një kohë që UEFA ka dënuar ekipet ruse nga Europa.
“Mirëmbrëma. Nuk do të zgjas shumë dhe tani me lejen tuaj do të bëj një deklaratë të vogël. Ne plotësisht mbështesim ligjet e UEFA-s dhe parimet e lojës së ndershme dhe t’i trajtojmë gjithmonë me respekt kundërshtarët tanë, duke e demonstruar këtë në çdo mënyrë si në fushën e futbollit ashtu edhe para, gjatë dhe pas ndeshjeve. Ju e dini shumë mirë se lufta në vendin tonë po vazhdon për tre vite, çdo ditë, njerëzit dhe fëmijët tanë vdesin nën goditjet dhe raketat ruse.
Klubi ynë nuk ndahet nga populli i Ukrainës, duke mbështetur vazhdimisht forcat tona mbrojtëse dhe njerëzit që vuajtën nga agresioni rus në këtë periudhë të vështirë. Gjatë paraqitjeve të tyre në skenën evropiane, lojtarët përpiqen të rrisin moralin e njerëzve të tyre, të prekur nga e gjitha kjo që ka ndodhur.
Shumë prej tyre janë tifozë të vjetër të Dynamo Kyiv. Për ta thënë më butë, Partizani i Beogradit ka luajtur në Moskë një turne miqësor, “vëllazëror”, ku luajtën një sërë ndeshjesh kundër klubeve vendase në Rusi dhe shprehën shenja solidariteti me atë që po bëjnë një agresion, një luftë kundër nesh, duke pushtuar vendin tonë, duke shkatërruar qytetet dhe fshatrat tona dhe duke na hequr fëmijët tanë nga duart.
Por, skuadra është plotësisht e fokusuar në përgatitjet dhe dëshiron të tregojë cilësitë e saj profesionale, të cilat ne përpiqemi t’i demonstrojmë në ndeshjen ndaj Partizanit, duke respektuar plotësisht rregullat e UEFA-s dhe të lojës së ndershme. Ju lutemi, mos iu ktheni më kësaj teme, nuk nuk do t’i japim dorën kundërshtarit. Do t’u përgjigjem vetëm pyetjeve për ekipin dhe përgatitjen e tij për këtë ndeshje”, përfundoi Oleksandr Shovkovskyi. /Sport Ekspres/