Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë për herë të parë kursin e përgatitjes atletike UEFA B që do të ngrejë siparin më datë 19 gusht 2024. Një kurs mjaft i rëndësishëm duke marrë parasysh që trajneri i përgatitjes atletike po bëhet gjithmonë e më shumë një profesion mjaft i kërkuar në botën e futbollit.
Kursi i përgatitjes atletike UEFA B do të udhëhiqet nga sektori i përgatitjes atletike në FSHF dhe do të jetë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit e më konkretisht në datat 19-21 gusht 2024, 16-18 shtator 2024, 21-24 tetor 2024 dhe 25-27 nëntor 2024. Më pas kursantët do t’i nënshtrohen provimit final dhe në rast suksesi do të kenë mundësi të marrin licencën e UEFA-s për këtë kurs dhe të punojnë në kampionatet elitare.
Kur ka mbetur edhe një muaj nga fillimi i këtij kursi, aplikimet janë ende të hapura dhe të gjithë të interesuarit duhet të plotësojnë disa kritere për t’u bërë pjesë.
Kandidatët për t’u regjistruar në kursin e përgatitjes atletike UEFA B duhet të plotësojnë kriteret/kërkesat e mëposhtme:
Diploma Bachelor e Universitetit Sportit;
Licenca Uefa-C – minimalisht
Kandidati duhet të jetë pajisur me raport mjekësor lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
Dy fotografi pasaporte;
Fotokopje e ID ose e Pasaportës;
Drejtoria Teknike në FSFH kërkon nga të gjithë të interesuarit që të dërgojnë në mënyrë elektronike informacionin e kërkuar përmes postës elektronike në adresën: drejtoria.teknike@fshf.al, si edhe përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë Sekretarisë në të njëjtën adresë.
Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 10.08.2024. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike: drejtoria.teknike@fshf.al.