Ndoshta për herë të parë në historinë e futbollit, askush nuk ka polemika për fituesin e Europianit, madje as vetë anglezët që mbërritën në finale. Ndoshta për herë të parë në historinë e Europianit, fituesi i saj nuk pati asnjë moment rënie apo pengese të madhe gjatë gjithë turneut, pavarësisht se kishte shortin më të vështirë të mundshëm me emra si Kroacia, Italia, Gjermania, Franca apo Anglia.
E gjitha kjo arritje e madhe vjen në saj të trajnerit Luis De La Fuente, njeriu që ndryshoi Spanjën. Një Kombëtare e madhe në letër, por askush nuk kishte pritshmëri për të. Mediat spanjolle kanë treguar se kjo ishte arsyeja se pse Spanja i luajti të gjitha ndeshjet në Gjermani si të luante në transfertë, tifozët e kishin braktisur pasi nuk besuan se Kombëtarja e tyre mund të mbërrinte deri në këtë pikë me këta emra lojtarësh.
Por De La Fuente ia doli. Në dhjetor të vitit 2022, atij i besuan vendin e trajnerit te Spanja duke zëvendësuar Luis Enriqe pas humbjes ndaj Markokut në Botëror. De La Fuente kishte punuar për shumë vite te moshat e Spanjës, duke përgatitur fëmijët e talentuar për ekipin A. Nga viti 2013-2018, De La Fuente ishte trajneri i Spanjës U-19, nga viti 2018-2022, ishte trajneri i Spanjës U-21 dhe U-23.
Kur mbërriti në Kombëtare A, e dinte se më kë punonte dhe sa vlejnë djemtë tek të cilët besoi. Ai mori në Gjermani shumë lojtarë me eksperiencë si Rodri, Merino, Ojarzabal, Fabian Ruiz, Cucurrela, Grimaldo, Le Norman, Morata, Olmo, por edhe të rinjë si Fermin Lopez, Ferran Torres, Lamine Jamal, Nico Ëilliams.
Sesa i di cilësitë e lojtarëve të tij, u pa qartë edhe në finale. Të gjithë po qeshnin kur trajneri nxori nga fusha Moratën dhe aktivizoi Ojarzabal, por në fund ishte pikërisht ky lojtari që shpalli Spanjën kampion europe.
“Si trajner vij që nga moshat, angazhimi ynë është t’i besojmë të rinjëve dhe këto nuk janë thjeshtë fjalë që thuhen rëndomtë”, u shpreh De La Fuente. Ky trajner ka një filozofi dhe psikologji shumë interesante për futbollin dhe i përsërit lojtarëve shumë herë këto fjalë para ndeshjes.
“Hyjmë 11, dalim 11”, kjo është komanda e lëshuar nga trajneri. “Kartoni i kuq është i ndaluar rreptësisht, është një mëkat dhe vdekje për ne. Ndalohet rreptësisht çdo protestë e tepërt ndaj gjyqtarëve, humbje kontrolli që do të na dërgoi në inferioritet numerik”. Ky është pra njeriu që shkroi historinë me Spanjën dhe padyshim që një shembull i tillë mund të përdorej edhe nga Shqipëria në të ardhmen. /Sport Ekspres/