Elvis Rexhbeçaj është lojtari më i ri i Kosovës. Mesfushori shqiptar ka pranuar të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë FFK-ja përmes kanaleve të saj zyrtare. Rexhbeçaj luan me Augsburgun në Gjermani dhe shihet si një përforcim mjaft i rëndësishëm për dardanët. Vetë 26-vjeçari është shprehur mjaft i lumtur që do të veshë fanellën e Kosovës.
“Sot i thash ‘Po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Elvis Rexhbeçaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/