Kursi i Drejtorit Teknik të FSHF në fazën e dytë, diskutohet për strukturat e stërvitjes dhe fazat e lojës

Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” po zhvillohet faza e dytë e kursit të Drejtorit Teknik, një risi e FSHF që po organizohet për herë të parë në vendin tonë.

Në periudhën e parë të kursit ishin të ftuar Roberto Samaden dhe Stefano Bonaccorso nga klubi i Atalantës të cilët ndanë eksperiencën e tyre me kursantët, ndërsa në fazën e dytë të kursit ishin Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea dhe Doktoresha e Kombëtares së vajzave, Genta Nallbani që diskutuan dhe mbajtën leksione për kursantët e këtij sezoni.

Drejtori Teknik i FSHF-së foli për strukturat e seancës stërvitore dhe fazat e lojës ndërsa Doktoresha e Kombëtares së vajzave shpjegoi leksionin me temë fazat e pubertitetit.

Kursi i Drejtorit Teknik që organizohet nga FSHF ka ngritur siparin në muajin qershor të këtij viti dhe do të zgjasë rreth 8 muaj. Një kurs shumë specifik që do të krijojë brenda një rruge teknike një figurë që të mund të drejtojë trajnerët përmes një metodologjie, strategjie dhe filozofie për të ndërtuar një talent të ri.