Një sezon mjaftoi që Alonso të sillte një lloj revolucioni në botën e futbollit dhe të tërhiqte vëmendjen e klubeve shumë më të fuqishme dhe më të pasura se Bayer Leverkusen. Trajneri premtues spanjoll u solli atyre titullin e parë kampion, por gjithashtu arriti një rekord të pathyeshëm pasi ekipi i tij zgjati 51 ndeshje pa humbje.
Në të gjitha garat sezonin e kaluar, Bayern Leverkusen humbi vetëm një ndeshje. Në finalen e Europa League, Atalanta ishte më e mirë duke i dhënë fund një serie që zgjati 361 ditë. E ndërsa pas një sezoni kaq të ngjeshur, të gjithë trajnerët, veçanërisht ata më të mirët, do të ishin të lumtur të shkonin me pushime dhe të linin mënjanë punën e tyre, kjo nuk ndodh me Alonson.
Tingëllon vërtet e pabesueshme që Alonso e përdori pushimin për të punuar si trajner në turneun e të rinjve Donosti Cup në San Sebastian. Alonso është ulur në stolin e skuadrës Zuatzu dhe nga pankina drejton djalin e tij Jon Alonso Aranbura dhe Gabi Arteta Bernal, djalin e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta.
Ekipi Zuatzu përfundoi fazën e grupeve në vendin e parë pas një barazimi 0:0 kundër ekipit QMB Sports B nga Madridi, një fitore 3-1 ndaj Aika Sport nga Huesca dhe një fitore 1-0 ndaj Apollon Halandriou FC nga Greqia. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/