Është mësuar sot çifti i parë çerekfinalist i Kampionatit Europian. Anglia i është bashkuar Zvicrës në turin pasardhës, megjithëse mes vështirësive. Sllovakia befasoi “tre luanët” në minutën e 26 të takimit, kur Shranci e dërgoi topin në rrjetë.
Anglia po vuante deri në sekondat e fundit të lojës, kur në skenë u shfaq Bellinghemi. Mesfushori i Realit të Madridit realizoi një gol të jashtëzakonshëm me roveshatë, i cili e dërgoi ndeshjen në shtesa. Vetëm pak më shumë se një minutë nga fillimi i kohës shtesë, ishte Herri Kejni ai i cili përmbysi rezultatin në 2-1. Shifrat mbetën të pandryshuara deri në vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, duke sjellë kështu kualifikimin e Anglisë në çerekfinale./Halit Delibashi-Sport Ekspres/