Ka përfunduar sot Kampionati Europian për Shqipërinë. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin e ngushtë 0-1 nga Spanja. Iberikët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 13 me anë të Ferran Torresit, i cili shënoi golin e vetëm të takimit. Por pavarësisht humbjes, Shqipëria pati rastet e veta, duke i shkuar pranë barazimit. Megjithëse largohemi nga Kampionati Europian, kuqezinjtë duhet ta mbajnë kokën lart, pasi loja premton siguri për të ardhmen. Më poshtë ndiqni intervistat e protagonistëve për “TV Klan”-in.
Silvinjo: “I trishtuar për rezultatin. Por nga ana tjetër, kishim kundërshtarë kampionët. Kampinë të Botës, të Ligës së Kombeve, të Europës. Dalim me kokën lart nga ky kompeticion. Kemi luftuar në çdo ndeshje. Kur i referohesh Europianit, mendoj që kemi arritur një kufi shumë të rëndësishëm dhe jam shumë i kënaqur me lojtarët. Kemi parë 6-7 lojtarë shumë të rinj në fushë. Edhe lojtarët e tjerë me përvojë kanë bërë shumë mirë në këto sfida. Të gjithë prisnin 3-0 në ndeshjen e parë, 4-0 në të dytën. Por ne kemi qenë në lojë në të gjitha ndeshjet. Mendoj që është e rëndësishme të luajmë në Botëror. Është e rëndësishme të luajmë në një tjetër Europian. Nuk është e thjeshtë, duhet punë. I falenderoj të gjithë, Federatën, stafin, ata me të cilët kemi punuar dhe Shqipërinë”.
Gjimshiti: “Nuk e di nga ta filloj. Po e filloj nga ekipi dhe stafi. Jam i lumtur për performancat që treguam në fushë. Jo për ndeshjen e parë, sepse kishim pak emocione. Por me kroatët meritonim diçka më shumë, edhe sot meritonim një barazim. Falenderoj tifozët, që na kanë mbështetur shumë. Jo vetëm në stadium, por edhe jashtë. Gjëja më e rëndësishme është që të shohim përpara. Kemi pasur grupin më të vështirë. Prapë kemi treguar ndeshje të mira. Kemi bërë edhe gabime, por kjo është eksperiencë që të rrit. Kemi shumë lojtarë të rinj, që do t’i rrisë shumë ky Europian”.
Merino: “Na vjen keq, sepse kishit një ekip të mirë. Luajtët një lojë të mrekullueshme kundër Italisë dhe kundër Kroacisë. E dinim që do të ishte e vështirë. Është skuadër që vrapon shumë dhe e tregoi këtë në pjesën e dytë. Jemi të lumtur, sepse i fituam të treja ndeshjet. Nuk kemi frikë nga askush. Do të japim më të mirën. Kemi besim në çfarë mund të bëjmë. Kemi edhe një dhomë zhveshjesh shumë të mirë, jo në nivel lojtarësh, por si qenie njerëzore”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/