“Shpresoj ta shoh Mitajn në Itali”, gazetari i njohur italian: Klubet do të japin deri në 8 milionë euro për të

Mario Mitaj pritet të ndryshojë skuadër pas përfundimit të Kampionatit Europian. Lojtari nga Malësia e Madhe ka shkëlqyer me fanellën e Kombëtares shqiptare, si dhe ka zhvilluar një kampionat mjaft pozitiv edhe në Rusi. Mitaj është përfolur për një transferim të mundshëm te Juventusi, çka do të ishte një hap vërtetë i madh në karrierën e tij.

Në një intervistë për “RB Sport”-in, Xhanluka Di Marcio ka thënë se do t’i pëlqentë ta shihte Mitajn në Sërinë A. Gazetari i njohur italian ka shtuar se ekipet do të ishin të gatshme të paguanin deri në 8 milionë euro për kartonin e mbrojtësit të krahut të majtë.

“Mitaj është një djalë i mirë. Unë mendoj se ai do të largohet në verë. Shpresoj ta shoh në Itali. Nuk e di nëse do të japin 20 milionë euro për të, por 6-7-8, ndoshta po”, ka thënë Xhanluka Di Marcio./Halit Delibashi-Sport Ekspres/