“Silvinjo e ka rritur shumë Shqipërinë”! Spaleti motivon lojtarët e tij: Jeni gjigantë, heronjë, ju nuk keni frikë nga një ndeshje futbolli

Spaleti ka dalë sot në konferencën për shtyp, ku ka folur për përballjen që do të ketë Italia kundër Shqipërisë. Trajneri italian ka motivuar futbollistët e tij, teksa nuk munguan lëvdatat deri në teprim, duke i quajtur heronjë dhe gjigantë.

“Nga pikëpamja personale, kam shumë emocione për këtë ndeshjen e nesërme. Por sa më shumë afrohet, akoma më shumë më kthehen në emocion të bukur, lumturie, sesa në tension. Është një ndjesi fantastike, në një stadium të bukur për të bërë një ndeshje të madhe. Vetë ndeshja është e ndërlikuar. Unë e pranoj, Silvinjo ka bërë një punë të madhe te Shqipëria për të ndërtuar këtë ekip, do të luajmë ndaj një rivali që ka kualitet dhe që kanë lojtarë, të cilët na e njohin mirë stilin e lojës.

Do të jetë shumë e vështirë. Duhet thënë se po përjetojmë ëndrrën e çdo italiani që në fëmijëri u largua nga shtëpia me topin në krahë dhe u kthye në shtëpi vonë, me një fytyrë të lodhur, të djersitur dhe gjunjët që i kullonin gjak. Jemi heronjë, gjigantë, që veshim uniformën e një ekipi që nuk vuan presion. Gjigantët dhe heronjtë nuk kanë frikë të luajnë një ndeshje futbolli”, tha Spaleti. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/