Shqipëria ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë e Silvinjos kanë mposhtur pastër 3-0 Lihtenshtajnin në takimin e parë miqësor në prag të Kampionatit Europian Gjermani 2024. Një ndeshje e dominuar nga ekipi ynë kombëtar, që gjeti rrugën e rrjetës me anë të Brojës, Asanit dhe Muçit. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Kuq e Zi” në “Supersport”.
Asani: “Këtu në Hungari kam luajtur disa vite dhe jam ndjerë shumë mirë. Stafi në Kombëtare më ka ndihmuar shumë. Pavarësisht se nuk kam luajtur shumë me klubin, jam stërvitur maksimalisht për të kapur formën për Europianin, por edhe për miqësoret. Na pret një rrugëtim i vështirë. Çdo ndeshje është e vështirë, si miqësore, si kualifikuese. Ne japim maksimumin për këtë fanellë që të marrim 3 pikët, ose një fitore në miqësore që na ngre moralin. A do i gjuaj unë gjithmonë goditjet e dënimit? Nuk e di, e vendos stafi. Ne jemi një familje e madhe dhe kushdo që e merr përsipër të gjuajë duhet të shënojë dhe të na japi tre pikët. Jemi një grup shumë i fortë. Po përgatitemi shumë me stafin dhe besoj se do të bëjmë gjëra të mira. Na pret një ndeshje shumë e madhe kundër Italisë. Kush do jetë në fushë do të japi maksimumin për këtë fanellë, sepse është shumë e rëndë. Muçi më falenderoi për golin”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/