Ilir Daja ka qenë në qendër të vëmendjes në Kosovë, teksa është përfolur në media për një largim të mundshëm të tijin nga Ballkani. Por është vetë klubi nga Theranda ai që i përgënjeshtron këto lajme. Ballkani ka qartësuar opinionin sportiv përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, ku shkruan se Daja do të jetë në krye të pankinës edhe në dy vitet e ardhshme, duke pasur kështu një projekt afatgjatë së bashku.
“Të dashur tifozë! Ashtu siç kemi bërë të ditur në fund të muajit shkurt, profesor Ilir Daja do të jetë pjesë e jona, së paku edhe për dy vjet. Të gjitha planet e klubit për këtë periudhë kohore, lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë. Çdo formë tjetër që po merr jehonë në media, mbetet thjeshtë spekulim, me qëllime dashakeqe ndaj klubit. Na priftë e mbara! Shihemi në Champions League”, ka njoftuar klubi Ballkani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/