Jurgen Klopi e drejtoi Liverpulin në ndeshjen e fundit pasditen e djeshme. Trajneri gjerman nuk i kurseu vlerësimet për Pep Guardiolën në deklaratën e fundit për shtyp. Një respekt që rezulton të jetë reciprok, teksa edhe kreu i pankinës së Mançester Sitit ka folur me superlative për kolegun e tij. Guardiola ka pranuar se Klopi ka luajtur një rol të madh në karrierën e tij, pasi konkurenca e tij ia ka bërë mjaft të vështirë rrugën drejt suksesit në Ligën Premier.
“Klopi ka luajtur një rol të madh në jetën time. Mendoj se e respektojmë jashtëzakonisht njëri-tjetrin. Kam një ndjesi se ai do të kthehet sërish. Thjesht dua të them ‘faleminderit shumë’ për fjalët e tij, por ai e di mirë se pas meje ka shumë gjëra që ky klub m’i ka mundësuar dhe m’i ka dhënë. Përndryshe, i vetëm nuk mund t’ja dilja. Jam mjaftueshëm i përulur sa ta kuptoj këtë. Ai më ka ndihmuar si trajner, më ka ndihmuar me ekipin e tij. Ka qenë një garues jashtëzakonisht i madh në jetën time. Në shumë momente, nuk e zbulova mënyrën se si ta ndëshkoja, siç e gjeja me ekipet e tjera. Me atë ka qenë shumë e vështirë”, ka deklaruar Pep Guardiola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/