Të dielën do të luhet edhe gjysmëfinalja e dytë e “Final Four” Egnatia – Vllaznia, ku do të përcaktohet edhe ekipi i dytë finalist që do të përballet me Partizanin në finalen e madhe të këtij sezoni në “Abissnet Superiore”.
Në stadiumin “Air Albania” do të zhvillohet një tjetër sfidë spektakolare pas ndeshjes Partizani – Skënderbeu ku të kuqtë siguruan finalen e 26 majit pasi mundën korçarët me rezultatin 1-0.
Egnatia vjen në këtë sfidë pas triumfit në Kupën e Shqipërisë dhe një sezoni shumë të mirë në kampionat duke e mbyllur në vendin e parë pas 36-të javëve. Tani objektivi i radhës është titulli kampion dhe finalja e madhe mund të sigurohet edhe falë një barazimi.
Në anën tjetër, Vllaznia vjen në “Air Albania” më e sigurt se kurrë për të marrë fitoren që do ta dërgonte në finalen e madhe të 26 majit.
Gjysmëfinalja e dytë e “Final Four” Egnatia – Vllaznia, do të luhet në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:00.
Një ndeshje ku spektakli është i garantuar, ndërsa biletat për të gjithë tifozët mund të blihen online në ebileta.al si edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00. Biletat me çmim promocional shiten vetëm në dy pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi”.