“E vështirë të luash kundër nesh”, Berat Gjimshiti: Ka një vetëdije së mund t’i mposhtim të gjithë

Atalanta mori një fitoret më të rëndësishme të sezonit në Serinë A. Bergamaskët mposhtën Romën me rezultatin 2-1 dhe hodhën një hap madhor drejt kualifikimit për në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Berat Gjimshiti ka folur për mikrofonin e “Sky Sport”-it pas përfundimit të ndeshjes. Ai është shprehur se ekziston një frymë e brendshme në ekip, ku besojnë se mund të mposhtin këdo. Sipas kapitenit të Shqipërisë, është e vështirë për çdo ekip që të përballet me Atalantën.

“Edhe sot u pa që e përgatitëm shumë mirë këtë ndeshje. Më e rëndësishmja ishte të mos mendonim për finalet, sepse ka kohë. Bëmë shumë mirë, sidomos në pjesën e parë, mund të kishim shënuar 3-4 gola me raste të bujshme. Mund ta kishim mbyllur më herët me pak saktësi përpara.

Ndeshja e Liverpoolit jashtë shtëpisë na dha shumë besim për të arritur deri në fund. Ekziston një vetëdije se mund t’i mposhtim të gjithë nëse luajmë kështu. Për mendimin tim është e vështirë për kundërshtarët (të luajnë kundër nesh). Ky duhet të jetë rasti për pesë të fundit”, ka deklaruar Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/