I njohur si një personazh kontravers, presidenti i Napolit ka shkaktuar habi në opinionin sportiv italian. Aurelio De Laurentisi ka kërkuar nga Federata që të shtyjë datën e ndeshjes kundër Fiorentinës. Napoletanët do të luajnë kundër “vjollcëve” më 17 maj, por presidenti 74-vjeçar dëshiron të caktohet një tjetër datë.
Arsyeja nuk ka të bëjë me një ngjeshje të kalendarit apo ndonjë shkak tjetër madhor. “La Repubblica” ka bërë me dije se shkak është bërë supersticioni. E premte, më 17 maj konsiderohet një ditë tersi në Itali. Numri 17 dhe dita e premte janë dy elemente që konsiderohen ndjellëse të fatit të keq. Përballja me Fiorentinën do të jetë vendimtare për pjesëmarrjen e Napolit në garat e UEFA-s, prandaj De Laurentisi nuk dëshiron t’i lërë asgjë në dorë fatit. Liga Italiane e ka marrë në shqyrtim këtë kërkesë dhe po konsideron shtyrjen e ndeshjes një ditë më pas, në 18 maj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/