Roma do të përballet mbrëmjen e nesërme me Bajer Leverkusenin në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Ligës së Europës. Fitorja 2-0 e gjermanëve e ka bërë thuajse një mission të pamundur kalimin më tej të verdhekuqve, duke ditur edhe faktin se “apirinat” janë të pamposhtur në këtë sezon.
Por De Rosi beson te mrekullitë. Vetë 40-vjeçari udhëhoqi Romën në fushën e lojës në vitin 2018 për të përmbysur Barcelonën në Ligën e Kampionëve. Tashmë, 6 vite më vonë dhe në krye të pankinës, beson se mund ta ripërsërisë një atmosferë të tillë edhe kundër Bajer Leverkusenit.
“I kam thënë asaj skuadre se i kam besuar si bashkëlojtar dhe kapiten, të njëjtën gjë mund t’i them edhe kësaj skuadre si trajner. Unë u besoj atyre, ndonjëherë kaq mjafton dhe ndonjëherë jo. Por kam besim të madh se do të bëjmë lojën e duhur. Atë ndeshje në shtëpi, kundër Barcelonës së marsianëve. Por Bajeri është gjithashtu shumë i fortë. Gjithçka më bën të mendoj se ne kemi atë që duhet për të dalë në fushë dhe për të rikrijuar atë atmosferë”, ka deklaruar Daniele De Rosi në konferencë për shtyp./Halit Delibashi-Sport Ekspres/