Tetë vite më parë Shqipëria luajti për herë të paë në grupet e një Kampionati Europian. Një meritë të madhe në këtë sukses historik pati padyshim edhe Paolo Tramexani, i cili ishte krahu i djathtë i De Biazit në pankinën e kuqezinjve. Në një intervistë për “TV Klan”, trajneri Italian ka krahasur Kombëtaren e Silvinjos me atë të vitit 2016, duke vënë në pah faktin se ky grup i tanishëm ka më tepër cilësi. Tramexani i uron sukses Shqipërisë, teksa është shprehur se dëshiron që të bëjnë më shumë se 8 vite më parë në Francë.
“Sipas meje, dy skuadra të ndryshme, me një rrugëtim të ndryshëm. Ne kishim më shumë lojtarë me përvojë. Kjo e sotmja është një Kombëtare që ka edhe perspektivë. Skuadra e Sylvinho ka edhe cilësi individuale, lojtarë të zotë. Dua të përgëzoj trajnerin, pasi dallohet puna e tij në nivel taktik dhe strategjinë.
Grupi nuk është i lehtë. Unë jam i bindur që do të luajë ballëhapur. Sot të luash përballë Shqipërisë nuk është e lehtë për asnjë dhe uroj që të bëjnë më mirë se ne në 2016 në Francë. Do të ishte bukur sikur të kalonin me sukses grupin.
Në të gjithë repartet ka lojtarë që mund të bëjnë mirë, mjafton të shikosh ku luajnë. Unë mendoj se Gjimshiti dhe Hysaj mund të japin shumë si pikë referimi edhe jashtë fushës si lider që janë. Të rinjtë janë shumë. Ai që njoh më shumë është Asllani. Ka gjithçka që të jetë një futbollist i rëndësishëm”, ka thënë Paolo Tramexani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/